Kodi Penal Viti 2014 Neni 126 Mosnjoftimi i ndryshimit të vendbanimit Mosnjoftimi brenda një muaji i ndryshimit të vendbanimit, të interesuarve ose organit të ekzekutimit, nga personi që sipas vendimit gjyqësor detyrohet me dhënien e mjeteve të nevojshme për jetesë fëmijëve, prindërve ose bashkëshortit të vet, si dhe ai të cilit i janë besuar fëmijët pas zgjidhjes së martesës, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. Neni 127 Marrja e padrejtë e fëmijës Marrja e padrejtë e fëmijës, duke e larguar prej personit që ushtron autoritetin prindëror ose që i është besuar për rritje dhe edukim, si dhe mosdorëzimi i fëmijës prindit tjetër në zbatim të vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. Neni 128 Ndërrimi i fëmijëve Ndërrimi i fëmijëve i bërë me pakujdesi nga personeli ku fëmijët mbahen për rritje, mjekim ose në shtëpi lindjeje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Neni 129 Shtytja e të miturve në krim Shtytja ose tërheqja e të miturve nën moshën katërmbëdhjetë vjeç për të kryer krim, dënohet me burgim gjer në pesë vjet. Neni 130 Shtrëngimi ose pengimi për të bashkëjetuar ose për të zgjidhur martesë Shtrëngimi ose pengimi për të filluar ose vazhduar bashkëjetesën ose shtrëngimi për të zgjidhur martesën, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj. SEKSIONI X VEPRA PENALE KUNDËR LIRISË SË BESIMIT Neni 131 Pengimi i veprimtarive të organizatave fetare Ndalimi i veprimtarive të organizatave fetare, si dhe krijimi i pengesave për ushtrimin e lirë të veprimtarive të tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Neni 132 Shkatërrimi ose dëmtimi i objekteve të kultit Shkatërrimi ose dëmtimi me dashje i objekteve të kultit, kur ka shkaktuar humbjen plotësisht ose pjesërisht të vlerave të tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Faqe|152

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents