Kodi Penal Viti 2014 LIGJ Nr.9275, datë 16.9.2004 PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7895, DATË 27.1.1995, “KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, I NDRYSHUAR Në mbështetje të neneve 81 pikat 1 dhe 2 shkronja “d” dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI: Në ligjin nr.7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime: Neni 1 Në nenin 7, pas shkronjës “h” shtohet shkronja “i” me këtë përmbajtje: “i) krimet e korrupsionit aktiv dhe pasiv, të kryera nga persona që ushtrojnë funksione në sektorin publik ose atë privat”. Neni 2 Neni 28 ndryshohet si më poshtë: “Neni 28 Forma të veçanta të bashkëpunimit 1. Organizata kriminale është forma më e lartë e bashkëpunimit, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona dhe që dallohet nga shkalla e veçantë e organizimit, strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes, si dhe nga qëllimi për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale. Organizata kriminale, për realizimin e qëllimeve të saj, përdor forcën, mjetet e tjera të kërcënimit, nënshtrimin dhe heshtjen për shkak të pjesëmarrjes dhe veprimtarisë së saj, për të kryer vepra penale, për të siguruar, në çdo mënyrë, administrimin ose vënien nën kontroll të veprimtarive ekonomike, të koncesioneve, autorizimeve, sipërmarrjeve dhe shërbimeve publike, për të realizuar përfitime ose avantazhe të padrejta për vete a personat e tjerë ose për të ndaluar a penguar ushtrimin e lirë të së drejtës së votës gjatë fushatave zgjedhore, si dhe veprimtarive të tjera të ngjashme me to. 2. Organizata terroriste është një formë e veçantë e organizatës kriminale, që synon kryerjen e veprimeve të dhunshme për qëllime terroriste, si përmbysje të rendit kushtetues, turbullim të rëndë të rendit publik, ngjallje të frikës dhe të pasigurisë në masë. 3. Banda e armatosur është një formë e veçantë bashkëpunimi që, duke zotëruar armë, municione luftarake dhe mjete të tjera të nevojshme, synon kryerjen e veprave penale, të parashikuara në krerët V, VI dhe VII të pjesës së posaçme të këtij Kodi. 4. Grupi i strukturuar kriminal është formë e veçantë bashkëpunimi, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale. Grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një vepre penale nuk formohet rastësisht e nuk është e nevojshme të dallohet për anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash, organizim dhe strukturim të zhvilluar. Faqe|228

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents