Kodi Penal Viti 2014 Neni 21 i Kushtetutë që sanksionon mbrojtjen me ligj të jetës së personit nuk e ndalon në mënyrë të shprehur dënimin me vdekje, por kjo nuk do të thotë se e lejon, ashtu si, në të njëjtën kohë, i krijon terren mendimit tjetër se jeta e personit nuk mbrohet nga Kushtetuta, por është ligji ai që duhet të shprehet për mbrojtjen e saj. Prandaj paraqitet e nevojshme që të interpretohet kjo dispozitë në raport me dispozitat e tjera, me frymën që përcjell në tërësi Kushtetuta, si dhe me mënyrën se si e kanë rregulluar këtë çështje dispozitat e mëparëshme kushtetuese. Sipas Ligjit nr.7692, datë 31.03.1993 “Pë një shtojcë në Ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, “të drejtat dhe liritë themelore të njeriut sanksionohen e garantohen sipas këtyre dispozitave”, ndërsa neni 1 parashikonte se: - “E drejta e çdo njeriu për të jetuar mbrohet me ligj. - Askujt nuk mund t’i hiqet jeta, përveç se në ekzekutim të një vendimi gjyqësor për një krim tejet të rëndë, të kryer me dashje për të cilin dënimi me vdekje është parashikuar me ligj. - Dënimi me vdekje nuk mund të jepet për të rinjtë, të cilët në kohën e kryerjes së krimit kanë qenë nën moshën 18 vjeç, si dhe për gratë”. Mbi bazën e kësaj dispozite kushtetuese, legjislatori miratoi Kodin Penal në vitin 1995, pa patur asnjë pengesë të karakterit kushtetues për të parashikuar dënimin me vdekje, për disa vepra të rënda penale, kod i cili aktualisht është në fuqi. Nëse do të marrim në analizë në mënyrë krahasimore përmbajtjen e këtyre dispozitave kushtetuese me ato që sanksionohen në Kushtetutën e re, do të vinim re një dallim të ndjeshëm në aspektin e zgjerimit dhe përforcimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, dallim i cili është mjaft esencial. Neni 21 i Kushtetutës, në krahasim me nenin 1 të dispozitave kryesore kushtetuese, duke mos e parashikuar dënimin me vdekje, si një rast përjashtimor nga parimi i përgjithshëm përbën një evoluim të ndjeshëm në favor të së drejtës për jetën dhe të mosdhunimit të saj. Dispozita e mësipërme duke qenë një normë pohuese për mbrojtjen e jetës, nuk përbën njëkohësisht një mohim të saj dhe as nuk lejon alternativë në këtë drejtim. Kështu që nga kjo pikëpamje, ligjvënësi nuk ka patur qëllimin të pranonte ekzistencën e dënimit me vdekje, si përjashtim në Kushtetutë, sepse heqja e dënimit me vdekje në Shqipëri tashmë ishte një çështje në zgjidhje. Nëse do të pranonim mendimin e kundërt, se vullneti dhe qëllimi i ligjvënësit ka qenë në favor të ekzistencës dhe të zbatimit në Shqipëri të dënimit me vdekje, atëhere ai nuk mund të mos parashikonte një dispozitë të tillë, duke përfshirë në nenin 21 të Kushtetutës së re një formulim të njëjtë me nenin 1 të dispozitave kryesore kushtetuese. Në Kushtetutën e re janë parashikuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, megjithatë duke u nisur nga parimet e përgjithëshme të së drejtës ndërkombëtare, është e kuptueshme se këto të drejta dhe liri nuk mund të konceptohen si të paprekëshme dhe të pakufizuara. Vetë Kushtetuta në disa prej këtyre dispozitave e lejon në mënyrë të shprehur kufizimin e të drejtave dhe lirive, kufizim i cili konsiderohet si përjashtim nga parimi i përgjithshëm. Dhe ky kufizim kushtetues parashikohet në nenet 18/3, 26, 27, 29, 34, 35, 37, 41, 43, 45, 47/2, etj., të Kushtetutës. Nga ana tjetër, në disa dispozita kushtetuese të kapitullit të të drejtave dhe lirive themelore, legjislatori ka parashikuar vetëm rregullin e përgjithshëm, pa lejuar përjashtimin. Mungesa në mënyrë të qartë e këtij përjashtimi shfaqet në shumë dispozita kushtetuese dhe konkretisht në nenet 15, 17, pika 2, 19, 20, 22 pikat 1-2-3, 23 pika 1, 24 pikat 1-2-3, 25, 28, 30, 31 etj. Në këtë grup dispozitash bën pjesë edhe neni 21 i Kushtetutës, i cili duke mos parashikuar përjashtimin, nuk mund të lejojë heqjen e të drejtës së jetës nëpërmjet dënimit me vdekje. Parimet themelore të mbrojtjes së jetës njerëzore gjejnë mbështetje të plotë në dispozitat kushtetuese. Jeta është një e drejtë, atribut fondamental i qënies njerëzore dhe kur kjo jetë hiqet, apo merret nga shteti, njeriu në të njëjtën kohë eleminohet, si mbartës të drejtash dhe detyrimesh. Jeta njerëzore përbën një vlerë të padiskutueshme dhe është objekt i mbrojtjes kushtetuese, por kjo nuk do të thotë se mbrojtja e jetës së njeriut në çdo moment dhe në të gjitha rrethanat duhet të jetë e njëjtë, pasi ajo është e influencuar nga një numër faktorësh të natyrave të ndryshme, të cilat është ligjvënësi ai që i parashikon me ligj. Legjislatori është vetëm i autorizuar që të bëjë përjashtimet me ligj, kur si Faqe|310

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents