Kodi Penal Viti 2014 Neni 101 Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të miturën në moshë katërmbëdhjetë gjer në tetëmbëdhjetë vjeç dhe që ka arritur pjekurinë seksuale, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet. Kur të miturës i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të miturës, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet. Neni 102 Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të rritura dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet. Kur të dëmtuarës i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen apo vetëvrasjen e të dëmtuarës, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Neni 103 Marrëdhënie seksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur Kryerja e marrëdhënieve seksuale duke përfituar nga pazotësia fizike ose mendore e të dëmtuarës që ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç dhe pjekurinë seksuale ose, nga vendosja e saj në gjendje të pandërgjegjshme, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet. Kur të dëmtuarës i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e të dëmtuarës, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Neni 104 Marrëdhënie seksuale me kërcënim për përdorim të armës Kryerja e marrëdhënieve seksuale duke kërcënuar të dëmtuarën për përdorim aty për aty të armës, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Neni 105 Marrëdhënie seksuale duke shpërdoruar detyrën Kryerja e marrëdhënieve seksuale duke shpërdoruar raportet e vartësisë ose të detyrës, dënohet me burgim gjer në tre vjet. Neni 106 Marrëdhënie seksuale me persona në gjini ose nën kujdestari Kryerja e marrëdhënieve seksuale midis prindërit dhe fëmijës, vëllait dhe motrës, midis personave të tjerë që janë gjini në vijë të drejtë ose me persona që ndodhen në raporte kujdestarie apo të birësimit, dënohet me burgim gjer në pesë vjet. Faqe|148

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents