Kodi Penal Viti 2014 KREU X VEPRA PENALE QË PREKIN ZGJEDHJET E LIRA DHE SISTEMIN DEMOKRATIK TË ZGJEDHJEVE Neni 325 Pengimi i subjekteve zgjedhore (Ndryshuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 45) Pengimi me anë të kanosjes, dhunës, apo me çdo mënyrë tjetër i subjekteve zgjedhore apo i kandidatëve për të zhvilluar veprimtarinë e tyre në përputhje me ligjin gjatë fushatës zgjedhore, dënohet me burgim nga tre muaj gjer në tre vjet. Neni 326 Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve (Ndryshuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 46; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48) Falsifikimi, shpërndarja ose përdorimi i fletëve të votimit, i dokumenteve dhe materialit zgjedhor, me qëllim ndryshmin e rezultatit të zgjedhjeve nëpërmjet paraqitjes në to të të dhënave, që dihen se janë të pasakta, zëvendësimi i të saktave me të rreme ose nëpërmjet futjes në kuti të fletëve të votimit në mënyrë të paligjshme dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet. Po kjo vepër kur kryhet nga personat që kanë për detyrë të administrojnë procesin zgjedhor, ose ka sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e votimit, ka cenuar integritetin e rezultatit të zgjedhjeve apo ka sjellë pavlefshmërinë e tyre, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet. Neni 326/a Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor (Shtuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 47; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48) Dëmtimi, prishja, shkatërrimi me dashje, apo zëvendësimi në kundërshtim me ligjin i pajisjeve, vulave, kodeve të sigurisë apo çdo materiali tjetër zgjedhor të parashikuar nga ligji, dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në pesë vjet. Po këto vepra kur kryhen nga personat përgjegjës për administrimin zgjedhor ose në bashkëpunim, ose më shumë se një herë, apo kur kanë sjellë pasoja të rënda në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, kanë sjellë pavlefshmërinë e tyre apo kanë cenuar rezultatin e votimit, dënohen me burgim nga tre gjer në tetë vjet. Neni 327 Shkelja e fshehtësisë së votimit (Ndryshuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 48) Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e personave të ngarkuar me zgjedhjet, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj gjer në dy vjet. Faqe|102

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents