Kodi Penal Viti 2014 Neni 33 Mënyra e vuajtjes së dënimit me burgim të përjetshëm dhe me burgim Dënimi me burgim të përjetshëm dhe dënimi me burgim vuhen në institucione të caktuara posaçërisht për këtë qëllim. Rregullat mbi mënyrën e vuajtjes së dënimeve, të drejtat dhe detyrat e të dënuarve caktohen me ligj. Të miturit e kryejnë dënimin me burgim në vende të veçanta nga të rriturit. Gratë e kryejnë dënimin me burgim në institucione të veçanta nga burrat. Neni 34 Dënimi me gjobë Dënimi me gjobë konsiston në pagimin në favor të shtetit të një shume të hollash brenda kufijve të parashikuar në ligj. Dënimi me gjobë jepet për personat që kryejnë krim ose kundërvajtje penale. Për personat që kryejnë krim, gjoba jepet nga 10 mijë deri në 2 milionë lekë. Për personat që kryejnë kundërvajtje gjoba jepet nga 5 mijë deri në 2 qindmijë lekë. Dënimi me gjobë paguhet në afatin e caktuar në vendimin e gjykatës. Gjykata, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike të të dënuarit, mund të lejojë që gjoba të paguhet me këste, duke caktuar këstet dhe afatin e pagimit të tyre. Kur gjoba nuk paguhet në afatin e caktuar, gjykata vendos zëvendësimin e gjobës me burgim, duke llogaritur 1 mijë lekë për një ditë burgim. Kur gjoba është dhënë për kryerjen e një krimi, zëvendësimi i saj me burgim nuk mund të kalojë tre vjet, ndërsa kur ajo është dhënë për kryerjen e një kundërvajtjeje penale, zëvendësimi nuk mund të kalojë një vit burgim, por gjithmonë pa kaluar maksimumin e dënimit me burgim që parashikon dispozita përkatëse. Kur i dënuari si më sipër gjatë zbatimit të burgimit paguan gjobën, gjykata revokon vendimin, duke bërë llogaritjet sipas kriterit të paragrafit të 7 të këtij neni. Neni 35 Heqja e së drejtës për të ushtruar detyra shtetërore Heqja e së drejtës për të ushtruar detyra si nëpunës shtetëror ose për të qenë në shërbim publik jepet ndaj personave që i kanë shpërdoruar ato dhe që kanë kryer një krim për të cilin gjykata ka caktuar një dënim me burgim jo më pak se dhjetë vjet dhe çmohet se kjo e drejtë nuk duhet të ushtrohet përgjithmonë. Heqja e së drejtës për të ushtruar detyra si nëpunës shtetëror ose për të qenë në shërbim publik mund të jepet edhe për një kohë nga një gjer në pesë vjet, kur gjykata ka caktuar dënimin gjer në dhjetë vjet burgim. Neni 36 Konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale Konfiskimi jepet detyrimisht nga gjykata ndaj personave që kryejnë vepër penale dhe konsiston në marrjen dhe kalimin në favor të shtetit të sendeve që kanë shërbyer ose ishin caktuar si mjet për kryerjen e veprës penale, si dhe objektet, të hollat dhe çdo pasuri tjetër që rrjedh nga vepra penale apo i shpërblimit të dhënë apo të premtuar për kryerjen e saj. Faqe|135

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents