Kodi Penal Viti 2014 trajtojnë gjerësisht jo vetëm parimin e pavarësisë së gjyqtarëve, por dhe parimin e paanësisë në kuptim të përgjegjësisë së tyre në vendimmarrje, duke shmangur presionet, mitmarrjen, ndërhyrjet etj... Megjithëse pavarësia dhe përgjegjësia e gjyqtarëve, që buron nga parimi i paanësisë, duken si kontradiktore me njëra-tjetrën, ato në fakt nuk janë gjë tjetër veçse dy anët e së njëjtës medalje. Respekti dhe besimi ndaj drejtësisë, ndaj pushtetit gjyqësor mund të cenohet rëndë si nga ndërhyrjet e pushteteve të tjera, ashtu dhe nga qëndrimet e papërgjegjshme të gjyqtarëve në vendimmarrje, me fjalë të tjera, nga deformimet e qëllimshme të sensit të drejtësisë në zgjidhjen përfundimtare të çështjeve. Patundshmëria e gjyqtarëve në detyrë, një veçori kjo e rëndësishme e pushtetit gjyqësor, në raport me pushtetet e tjera, e bën akoma më evidente jo vetëm nevojën për pavarësi të tyre në dhënien e drejtësisë, por edhe paanësinë e tyre jashtë çdo ndikimi dhe tundimi. Pushteti gjyqësor është krijuar për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe pushteti që gjyqtarët kanë në raport me nëpunësit e pushteteve të tjera është shumë i madh. Pasojat që vijnë nga shpërdorimi i këtij pushteti janë të rënda. Komisioni i Venecias, në opinionin e tij nr.246/2003, shprehet, ndër të tjera, se: “…Rrjedhojë më e rëndësishme e parimit të pavarësisë së gjyqësorit është mospërgjegjësia e tyre për vendimet e marra. Megjithatë, pasojat/efektet e pushtetit dhe besimi që shoqëria u jep gjyqtarëve, janë të tillë që duhet të ketë disa mënyra për t’i mbajtur gjyqtarët përgjegjës, përfshi dhe largimin nga detyra në rast të shkeljeve aq të mëdha që justifikojnë këtë veprim… Duhet të dallojmë ndërmjet përgjegjësisë penale, civile dhe disiplinore. Gjyqtarët, të cilët gjatë detyrës kryejnë atë që në çdo rrethanë do të konsiderohet si krim, nuk mund të pretendojnë imunitet nga procesi i zakonshëm penal. Por, ata duhet të përjashtohen krejtësisht nga përgjegjësia penale për dështime të paqëllimshme në kryerjen e funksioneve të tyre…”. Edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, në një sërë vendimesh të saj, shprehet se koncepti i pavarësisë dhe paanësisë objektive janë të lidhur ngushtësisht. Pavarësia nuk është qëllim në vetvete, ose një mënyrë për të siguruar pozicionin profesional të gjyqtarëve për të mirën e tyre, por një mjet për të arritur qëllimet e një shoqërie të drejtë dhe të përparuar. Pavarësisht se dokumentet ndërkombëtare për pavarësinë e gjyqtarëve nuk trajtojnë në mënyrë të posaçme përgjegjësinë penale të gjyqtarëve, por vetëm atë disiplinore, kjo nuk mund të përbëjë shkak për të arritur në përfundimin se gjyqtarët nuk mund të përgjigjen penalisht, me “argumentin” se cenohet pavarësia e tyre. E drejta penale është një kategori e veçantë e së drejtës, për rrjedhojë dhe përgjegjësia penale, subjekte të së cilës mund të jenë pa përjashtim të gjithë shtetasit, përfshirë dhe gjyqtarët, duke respektuar natyrisht kriteret dhe normat që lidhen me imunitetin. Dispozita e kontestuar si antikushtetuese bën fjalë për dhënien e një vendimi gjyqësor përfundimtar që dihet se është i padrejtë. Në këtë formulim të ligjvënësit dallojmë dy elemente thelbësore që do të na ndihmojnë për t’i dhënë përgjigje çështjes së shtruar për zgjidhje. E para, që një person (gjyqtari) të ketë përgjegjësi penale në bazë të nenit 315 të Kodit Penal, duhet të ketë dhënë një vendim gjyqësor përfundimtar dhe, e dyta, vendimi duhet të dihet që është i padrejtë. Vendimi gjyqësor është përfundimtar kur janë shteruar të gjitha mjetet për kundërshtimin e tij, ose kur ai ka marrë formë të prerë, që do të thotë se ai ose nuk është apeluar apo kundërshtuar me rekurs nga subjektet e interesuara, ose kur pas shterimit të këtyre mjeteve është marrë një vendim, sipas rastit, nga gjykata e apelit apo Gjykata e Lartë. Kushti i dytë, dijenia për dhënien e një vendimi të padrejtë, në kuptimin juridiko-penal, nuk lidhet me vlerësimin profesional që bëjnë gjykatat e niveleve më të larta, aq më pak prokurori, por me qëndrimin subjektiv të gjyqtarit ndaj zgjidhjes në themel të çështjes. Pra, nuk është fjala “…për dështime të paqëllimshme në kryerjen e funksioneve të tyre”, që do të thotë se vendimi mund të jetë pasojë e paaftësisë së gjyqtarit apo e vlerësimit të gabuar të provave dhe rrethanave të tjera të çështjes. Përkundrazi, sipas kësaj dispozite, gjyqtari, në mënyrë të qëllimshme, jep një vendim gjyqësor përfundimtar që ai e di se është i padrejtë. Pikërisht ky qëndrim subjektiv e bën atë (gjyqtarin) përgjegjës penalisht, sipas nenit 315 të Kodit Penal. Në të drejtën penale, që personi të përgjigjet për një vepër penale, para së gjithash duhet të konkurrojnë tri elemente themelore: rrezikshmëria shoqërore e veprës, kundërligjshmëria e saj dhe faji. Këto elemente (bashkë me elementet e tjera që karakterizojnë figurën e një vepre penale) janë të pranishme dhe në ekzistencën e veprës penale të parashikuar nga neni 315 i Kodit Penal. Faqe|322

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents