Kodi Penal Viti 2014 barazisë përpara ligjit nuk nënkupton vendosjen e të gjithë shtetasve detyrimisht në situata të ngjashme, por përcaktimin në situata të ngjashme të përgjegjësive ligjore të barabarta. 9.5. Parashikimi i dy dënimeve kryesore nga ana e ligjvënësit nuk shkakton asnjë lloj paragjykimi se i pandehuri ka kryer veprën penale (të falsifikimit në rastin konkret) vetëm për motive materiale. Rrethana e përfitimit material është parashikuar si një conditio sine qua non për caktimin e një dënimi me gjobë kur vetë dispozita nuk e parashikon dënimin me gjobë, ndërsa, sipas sanksionimit të neneve 190 dhe 191 të KP-së, gjykata nuk detyrohet ta lidhë detyrimisht caktimin e dënimit me gjobë me praninë e një përfitimi material nga vepra penale. Për këtë arsye nuk cenohet parimi i prezumimit të pafajësisë. Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese Lidhur me legjitimimin e gjykatës referuese III 10. Gjykata Kushtetuese (Gjykata) në jurisprudencën e saj ka theksuar se gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, në përputhje me nenet 134/1/d dhe 145/2 të Kushtetutës mund të ushtrojnë kontrollin e kushtetutshmërisë së normës gjatë shqyrtimit të një çështjeje gjyqësore, duke pasur si parakusht që kushtetutshmëria e normës së referuar të jetë conditio sine qua non për zgjidhjen e çështjes konkrete. 11. Gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, në përputhje me parimin e drejtësisë efektive, nëse kanë arsye të besojnë se zgjidhja e çështjes nga ana e tyre mund të çojë në cenimin e të drejtave kushtetuese të shtetasve, atëherë ato janë të autorizuara, nga sanksionimi i normës kushtetuese, që të referojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, për zgjidhjen e problemit të kushtetutshmërisë. 12. Në rastin konkret, gjykata referuese ka konstatuar se përcaktimi si dënim për veprat penale të falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve apo të falsifikimit të akteve të gjendjes civile, të parashikuara, respektivisht, nga nenet 190 dhe 191 të KP-së, i dy dënimeve kryesore (me burgim dhe gjobë), bie në kundërshtim me nenin 17/1 të Kushtetutës, pasi që të jetë i pranueshëm dënimi penal në aspektin kushtetues, në përputhje me nenin 17/1 të Kushtetutës, duhet të jetë i drejtë dhe në përpjesëtim me veprën. Gjithashtu, sipas gjykatës referuese, dispozitat bien ndesh me nenin 18 të Kushtetutës, i cili sanksionon barazinë e shtetasve para ligjit, dhe me parimin e prezumimit të pafajësisë të parashikuar nga neni 30 i Kushtetutës. 13. Gjykata çmon se një konstatim i tillë nga ana e gjykatës referuese ngre prima facie probleme kushtetutshmërie të neneve 190 dhe 191 të KP-së në lidhje me parimin e proporcionalitetit, të parashikuar nga neni 17 i Kushtetutës. Për këto arsye, Gjykata vlerëson se gjykata referuese legjitimohet në paraqitjen e kërkesës për kontrollin e kushtetutshmërisë së dispozitave të lartpërmendura. Lidhur me themelin e kërkesës IV 14. Gjykata, para se t’u japë përgjigje pretendimeve të gjykatës referuese, nëse dispozitat penale, objekt kontrolli kushtetues, bien ndesh me nenet 17, 18 dhe 30 të Kushtetutës, vlerëson të arsyeshme të analizojë, fillimisht, nën dritën e një këndvështrimi historik dhe krahasues, legjislacionin penal shqiptar lidhur me klasifikimin e dënimeve kryesore dhe plotësuese, kriteret e zbatimit të tyre dhe qëllimet që ndjekin në frymën e parimeve të përgjithshme të Kodit Penal. 15. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë sanksionon dy lloje dënimesh, dënimet kryesore dhe ato plotësuese. Dënimet kryesore janë të parashikuara në nenin 29 të KP-së. Në llojin e dënimeve kryesore, të cilat mund të jepen nga gjykatat e zakonshme më vete, për personat që kanë kryer krime, hyjnë dënimi me burgim të përjetshëm, dënimi me burgim dhe ai me gjobë. Ndërsa për personat që kanë kryer kundërvajtje dënimet kryesore janë dënimi me burgim dhe dënimi me gjobë. Dënimi me burgim parashikohet nga neni 32 i KP-së, ndërsa dënimi me gjobë nga neni 34 i KP-së. Përveç dënimeve kryesore, gjykatat kur e çmojnë të arsyeshme, bashkë me dënimin kryesor mund të caktojnë edhe një ose më shumë dënime plotësuese, të parashikuara nga neni 30 i KP-së, në lidhje dhe me nenet 35-43 të tij. Faqe|334

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents