Kodi Penal Viti 2014 Neni 327/a Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar (Shtuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 49) Votimi më shumë se një herë në të njëjtat zgjedhje, votimi për persona të tjerë, duke paraqitur dokumente identifikimi të rreme apo duke përdorur dokumente të zgjedhësve të tjerë dënohet me burgim nga një gjer në tre vjet. Lejimi me dashje i kryerjes së kësaj vepre nga komisionerët zgjedhorë dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet. Lejimi me dashje nga komisionerët zgjedhorë i votimit, pa kryer identifikimin e shtetasit sipas ligjit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj gjer në një vit. Neni 328 Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve (Ndryshuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 50) Ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende pune ose për favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet. Pranimi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve dhe favorizimeve të tjera kundrejt kryerjes së veprimeve të mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë. Neni 328/a Detyrimi për pjesëmarrje në veprimtari politike (Shtuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 51) Detyrimi i shtetasve nën varësi administrative, kundër vullnetit të tyre apo nën kanosjen e përdorimit të masave administrative, për të marrë pjesë në veprimtari zgjedhore të një subjekti zgjedhor përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj. Detyrimi apo organizimi për të marrë pjesë në veprimtari elektorale të një subjekti zgjedhor i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik, ose detyrë a funksion në arsimin jopublik, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj gjer në një vit. Neni 329 Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje (Ndryshuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 52) Kanosja që i bëhet zgjedhësit për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet nga tre muaj gjer në dy vjet. Kanosja apo përdorimi i dhunës që i bëhet komisionerit, vëzhguesit, numëruesit si dhe çdo zyrtari tjetër të ngarkuar me zgjedhjet për ta penguar në kryerjen e detyrës apo për shkak të veprimtarisë së tij në administrimin zgjedhor dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet. Faqe|103

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents