Kodi Penal Viti 2014 SEKSIONI II KRIME KUNDËR RENDIT KUSHTETUES Neni 219 Atentati Kryerja e vrasjeve, rrëmbimeve, torturave apo akteve të tjera të dhunës kundër përfaqësuesve më të lartë të shtetit, me qëllim për të përmbysur rendin kushtetues, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm a me vdekje. Neni 220 Komploti Marrja e vendimeve dhe krijimi i kushteve materiale nga një grup njerëzish për të kryer atentat dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Neni 221 Kryengritja Pjesëmarrja në veprime masive të dhunshme, si vendosje pengesash apo barrikadash për të ndalur forcat e rendit, rezistenca me armë apo çarmatosja e tyre, pushtimi me forcë i ndërtesave, kryerja e plaçkitjeve, grumbullimi apo vënia në dispozicion e armëve, municioneve dhe njerëzve, krijimi i lehtësirave në favor të kryengritësve, të bëra për të përmbysur rendin kushtetues, dënohen me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet. Marrja pjesë si udhëheqës apo organizator në veprimet e mësipërme dënohet me burgim të përjetshëm a me vdekje. Neni 222 Thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës Thirrjet për armatosje kundër rendit kushtetues, krijimi apo organizimi i forcave të armatosura në kundërshtim me ligjin, marrja pa të drejtë e komandës së forcave të armatosura për të kryer veprime luftarake, me qëllim për t’iu kundërvënë rendit kushtetues, dënohen me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet. Neni 223 Thirrjet publike për veprime të dhunshme Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Neni 224 Krijimi i partive dhe shoqatave antikushtetuese Krijimi apo pjesëmarrja në parti, organizata apo shoqata që synojnë përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Rikrijimi i një partie, organizate ose shoqate të shpërndarë si antikushtetuese apo vazhdimi i veprimtarisë në mënyrë të fshehtë ose të hapur, dënohet me burgim nga një gjer në pesë vjet. Faqe|166

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents