Kodi Penal Viti 2014 VËREN: I Shtetasi P.B., i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës me kërkesë për “kundërshtimin e vendimit të pushimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës” lidhur me kallëzimin që ai ka bërë ndaj tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Tiranë për kryerjen e veprës penale të “Dhënies së vendimit të padrejtë”, parashikuar nga neni 315 i Kodit Penal. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, në datë 18.3.2003, ka vendosur pushimin e çështjes penale në ngarkim të tre gjyqtarëve, me arsyetimin se vendimi i Gjykatës është i formës së prerë dhe se nuk ekziston vepra penale. Me vendimin nr.80, datë 19.3.2007, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, bazuar në nenin 145/2 të Kushtetutës, ka vendosur të pezullojë gjykimin e çështjes së sjellë nga shtetasi P.B., dhe i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese kontrollin e kushtetutshmërisë së nenit 315 të Kodit Penal. Ajo ka çmuar se: ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet nenit 315 të Kodit Penal dhe zgjidhjes së çështjes penale të paraqitur për gjykim; neni 315 i Kodit Penal është i papajtueshëm me nenet 7, 42/2 dhe 145/1, 3 të Kushtetutës. Këto dispozita të Kushtetutës deklarojnë: Neni 7: “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”. Neni 42/2: “Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”. Neni 145/1: “Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve”. Neni 145/3: “Ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve passjell përgjegjësi sipas ligjit”. II 1. Gjykata, përpara se të vlerësojë kushtetutshmërinë e nenit 315 të Kodit Penal, e çmon të nevojshme të shprehet paraprakisht për kuptimin e standardeve kushtetuese për pavarësinë dhe përgjegjësinë e gjyqtarëve dhe të gjykatave. Analiza e mëposhtme do të ndalet në paraqitjen e normave kushtetuese dhe praktikës së Gjykatës Kushtetuese (Gjykata), si dhe të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) lidhur me këto standarde. 2. Sipas nenit 7 të Kushtetutës, sistemi i qeverisjes bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve. Ky parim do të thotë që ligjvënësi, ekzekutivi dhe gjyqësori, janë të ndarë, efektivisht të pavarur dhe duhet të ketë një balancë midis tyre. Çdo institucion i një pushteti gëzon kompetencën sipas këtij qëllimi. Përmbajtja konkrete e kësaj kompetence varet nga fakti se cilit pushtet i përket ky institucion, nga vendi i tij midis institucioneve të tjera, nga raportet e fuqive të tij me ato të institucioneve të pushtetit shtetëror. Në përputhje me detyrat që u ka ngarkuar Kushtetuta, secili prej tyre është i pajisur me pushtet të mjaftueshëm, gjë që i jep mundësinë të marrë vendime në mënyrë të lirë e të pavarur. Asnjë organ apo institucion tjetër, në përbërje ose jo të një prej tri pushteteve nuk mund të ndërhyjë në trajtimin dhe zgjidhjen e çështjeve që, sipas rastit, do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve apo institucioneve të tjera kushtetuese (shih vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.19, datë 3.5.2007). Pushteti gjyqësor, sipas nenit 135 të Kushtetutës, ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e apelit dhe gjykatat e rrethit. Gjykatat kanë të drejtën ekskluzive për funksionin e dhënies së drejtësisë. Ky funksion i gjykatave përcakton vendin e gjyqësorit në sistemin e institucioneve të pushtetit shtetëror dhe statusin e gjyqtarëve. 3. Në nenin 145/1 parashikohet se: “Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve”. Pavarësia e gjyqtarëve dhe gjykatave është një nga parimet themelore të shtetit demokratik. Roli i gjyqtarit dhe gjykatave në një shtet të tillë është që, ndërsa ushtrojnë funksionin e drejtësisë, ata duhet të sigurojnë zbatimin e normave të shprehura në Kushtetutë, të ligjeve dhe të Faqe|316

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents