Kodi Penal Viti 2014 Gjykata çmon se sistemi i garancive të pavarësisë së gjyqtarëve dhe të gjykatave nuk krijon ndonjë parakusht mbi bazën e të cilit gjyqtari mund t’i shmanget përmbushjes së detyrave të tij në mënyrë të plotë, të shqyrtojë çështjet në një mënyrë të papërshtatshme, të veprojë në mënyrë joetike me personat që marrin pjesë në çështje, të shkelë të drejtat e njeriut dhe dinjitetin etj... Gjyqtarët duhet të mbrojnë nderin dhe prestigjin e detyrës së tyre. Për rrjedhojë, sistemi i vetëqeverisjes së gjyqësorit duhet të sigurojë që gjyqtarët t’i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë korrekte, me qëllim që çdo veprim joligjor ose joetik të vlerësohet në mënyrë të përshtatshme. 6. Pavarësia nuk është qëllim në vetvete ose një mënyrë për të siguruar pozicionin profesional të gjyqtarëve për të mirën e tyre, por është një mjet për të arritur qëllimet e një shoqërie të drejtë dhe të përparuar. Për këtë arsye, pavarësia shoqërohet me mjete për të siguruar që gjyqtarët dhe gjyqësori në tërësi të veprojnë në përputhje me parimet dhe interesat legjitime të një shoqërie demokratike. Gjyqtari betohet se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndrojë kurdoherë besnik Kushtetutës, ligjeve dhe do të respektojë rregullat e etikës profesionale. Ai duhet të ruajë dinjitetin e tij, duke mos lejuar veprime që komprometojnë profesionin, organet e drejtësisë dhe figurën e tij në shoqëri. Gjyqtari duhet ta shmangë një konflikt të mundshëm interesi që ndikon ose mund të krijojë dyshime për paanshmërinë e tij në dhënien e drejtësisë. Për këtë qëllim, Kushtetuta, në nenin 143 përcakton : “Qenia gjyqtar nuk pajtohet me asnjë veprimtari tjetër shtetërore, politike ose private”. Rrjedhoja më e rëndësishme e parimit të pavarësisë së gjyqtarëve është mospërgjegjësia për vendimet që japin sipas bindjes së tyre, mbështetur në Kushtetutë dhe në ligje. Megjithatë, pasoja e pushtetit dhe besimi që shoqëria i jep gjyqtarëve është e tillë që duhet të ketë disa mënyra për t’i mbajtur gjyqtarët përgjegjës, përfshi edhe largimin nga detyra, në rast të shkeljeve që justifikojnë këtë veprim. Për shkelje të funksioneve të tyre gjyqtarët mund të mbajnë përgjegjësi disiplinore dhe penale. Bazuar në nenin 147 të Kushtetutës, gjyqtarët shkarkohen nga detyra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për kryerjen e një krimi, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit ose për pamjaftueshmëri profesionale. Sjellja e një gjyqtari lidhur me veprimtarinë e tij, për detyrat e tij funksionale, si dhe për veprimtarinë e tij jashtë detyrës, nuk duhet të krijojë dyshime për pavarësinë dhe paanshmërinë e tij. Gjykata çmon se në vendimmarrje gjyqtarët duhet të jenë të pavarur dhe të aftë të veprojnë pa ndikim të papërshtatshëm, presione, kërcënime ose ndërhyrje, të drejtpërdrejta ose jo, nga kushdo dhe për çfarëdo arsye. Gjyqtarët duhet të kenë liri të plotë për t’i vendosur rastet me paanësi, në përputhje me ndërgjegjen dhe interpretimin e tyre për faktet dhe në zbatim të normave të së drejtës. Gjykata është shprehur se pushteti gjyqësor ushtrohet i shkallëzuar sipas parimit të kontrollit të vendimeve gjyqësore të gjykatave më të ulëta nga gjykatat më të larta. Vendimet gjyqësore kontrollohen vetëm nga gjykata më e lartë dhe asnjë organ tjetër nuk mund të vlerësojë ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e vendimeve gjyqësore, për sa kohë ato nuk janë ndryshuar ose prishur nga një gjykatë më e lartë (shih vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.11, datë 27.5.2004). 7. Është e nevojshme të theksohet, se parimi i pavarësisë së gjyqtarëve është gjithashtu i sanksionuar në një sërë dokumentesh ndërkombëtare: Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut; Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike; Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ); Parimet Bazë për Pavarësinë e Gjyqësorit miratuar nga Asambleja e OKB-së; Rekomandimi për Pavarësinë, Efiçencën dhe rolin e gjyqtarëve miratuar nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës; Karta Universale e Gjyqtarit etj... Këto dokumente ndërkombëtare në tërësi identifikojnë parimet bazë të pavarësisë së gjyqësorit, si: gjyqtari duhet të ketë autoritetin për të vendosur për çështjet i lirë nga çdo ndërhyrje; ndarja e pushteteve dhe pavarësia e gjyqësorit të përfshihen në rendin kushtetues; gjykatat dhe gjyqtarët duhet të kenë pavarësi administrative dhe të përfshihen në procesin buxhetor; mbrojtja e gjyqtarëve nga shfuqizimi arbitrar ose rishikimi i vendimeve të tyre duhet të jetë i garantuar; pavarësia ndër-institucionale që është e drejta e gjyqtarëve për të marrë vendime pa ndërhyrje të papërshtatshme nga gjykatat më të larta; etj.. 8. Konceptet e pavarësisë dhe të paanësisë së gjyqësorit janë trajtuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në kuadrin e nenit 6 të KEDNJ, i cili përcakton standarde për procesin Faqe|318

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents