Kodi Penal Viti 2014 pozitat procedurale dhe materiale të palëve dhe gjendjen e tyre pas zgjidhjes se çështjes konkrete. Nëse gjykata referuese ka arsye të besojë se zgjidhja e çështjes nga ana e saj mund të çojë në cenimin e të drejtave kushtetuese të shtetasve, atëherë ajo është e autorizuar nga urdhërimi i normës kushtetuese që të referojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, për zgjidhjen e problemit të kushtetutshmërisë. Në rastin konkret, gjykata referuese ka konstatuar se konvertimi i dënimit me gjobë në dënim me burgim mund të sjellë diskriminimin e të dënuarit për arsye të gjendjes së tij ekonomike, si dhe mund të cenojë lirinë e tij jashtë kushteve të parashikuara në nenin 27 të Kushtetutës. Gjykata çmon se një konstatim i tillë nga ana e gjykatës referuese ngre prima facie probleme kushtetutshmërie në lidhje me cenimin e parimit të barazisë para ligjit, të parashikuar në nenin 18 të Kushtetutës, dhe parimit të mosdënimit pa ligj, të parashikuar në nenin 29 të Kushtetutës. Për këto arsye, Gjykata vlerëson se gjykata referuese legjitimohet në paraqitjen e kërkesës për kontrollin e kushtetutshmërisë së paragrafëve 7 dhe 8 të nenit 34 të KP-së. IV Për pretendimin për cenimin e parimit të barazisë së shtetasve para ligjit, të parashikuar nga neni 18 i Kushtetutës Gjykata, para se t’i japë përgjigje pretendimit të gjykatës referuese se dispozita penale, objekt kontrolli kushtetues, i bie ndesh nenit 18 të Kushtetutës, sepse lejon diskriminimin e personave për shkak të gjendjes së tyre ekonomike pa arsye të përligjura, vlerëson të marrë në shqyrtim, fillimisht, funksionin e dënimit penal. Dënimi penal përmbush dy funksione të ndryshme, të cilat mund të konsiderohen si edukative. Nga njëra anë qëndron funksioni i parandalimit të përgjithshëm të veprave penale, pasi kërcënimi, se shteti do të zbatojë sanksione penale sa herë që shtetasit do të kryejnë veprime të dënueshme nga legjislacioni penal, funksionon si një mënyrë për të dekurajuar dhe parandaluar cilindo nga shtetasit që të ndërmarrë veprime që bien në kundërshtim me normat penale. Nga ana tjetër, qëndron funksioni i parandalimit të posaçëm, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me autorin e veprës, pasi duke zbatuar sanksionin penal synohet riedukimi i tij, në mënyrë që pas kryerjes së dënimit të mos ndërmarrë në të ardhmen veprime kriminale. Gjykata, nisur nga natyra e çështjes në shqyrtim, e shikon të arsyeshme të ndalet kryesisht në parandalimin e posaçëm. Në përputhje me frymën e Kushtetutës, sanksioni penal i cilësdo natyre duhet të synojë vetëm riedukimin dhe më pas integrimin e të dënuarit në jetën shoqërore. Në këto kushte, Gjykata sheh me vend të analizojë nëse konvertimi i dënimit me gjobë në dënim me burgim, kur autori është në pamundësi për të shlyer gjobën, cenon standardin e barazisë së shtetasve para ligjit dhe, në këtë kuptim, është në përputhje me këtë funksion riedukativ që duhet të luajë sanksioni penal. Gjykata, duke pasur parasysh dhe doktrinën e konsoliduar europiane në këtë fushë, konstaton se, që të jetë i pranueshëm dënimi penal në aspektin kushtetues, në përputhje me nenin 17/1 të Kushtetutës, duhet të jetë i drejtë dhe në përpjesëtim me veprën. Në këtë mënyrë, që të mund të ketë një proces riedukativ të suksesshëm, duhet që ndëshkimi penal të perceptohet nga autori i veprës si i drejtë dhe në përpjesëtim me veprën e kryer. Nëse koncepti i lirisë vetjake dhe vetë liria vetjake janë të shpërndara në mënyrë të njëtrajtshme të shtetasit që nga momenti i lindjes së tyre, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për mjetet financiare që disponon gjithsecili, të cilat janë të shpërndara në mënyrë tejet të ndryshme nga një person te tjetri. Dënimi me gjobë lindi si një mënyrë për të shmangur dënimin me burgim, pasi konsiderohej si më e drejtë që personi të mund të paguante një shumë të hollash për vepra që kishin një rrezikshmëri të ulët shoqërore, pa pasur nevojë që të privohej nga liria. Qëllimi i dënimit me gjobë, në frymën e Kushtetutës, duhet rilexuar në kuptimin që funksioni riedukativ mund të përmbushet edhe nga pagesa e një shume të caktuar, pa qenë nevoja që personi të privohet nga liria vetjake. Në rastin e konvertimit të dënimit me gjobë në atë me burg, duket se ligjvënësi i vendos shtetasit para alternativës që të zgjedhin midis detyrimit për të paguar një shumë të hollash ose të vuajnë dënimin me burgim. Konstatohet lehtë se, nëse një person i caktuar është në pamundësi absolute që të shlyejë detyrimin, ai privohet nga kjo zgjedhje. Faqe|326

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents