Kodi Penal Viti 2014 Neni 298 Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve (Ndryshuar me ligjin nr.9188, datë 12.2.2004, neni 9; ndryshuar titulli dhe paragrafi i parë me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 27;ndryshuar me ligjin nr.23/2012, datë 1.3.2012, neni 56; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48) Strehimi, shoqërimi, vënia në dispozicion ose përdorimi i mjeteve të lundrimit, të fluturimit ose i mjeteve të tjera të transportit apo çdo ndihmë tjetër, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit të Republikës së Shqipërisë ose për hyrjen e paligjshme të një personi në një shtet tjetër, pa qenë shtetas i tij ose që nuk ka leje qëndrimi në atë shtet, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet. Kur ndihma jepet për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga katër milionë deri në tetë milionë lekë. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga gjashtë milionë deri në tetë milionë lekë. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen e të dëmtuarit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm. Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik, dënimi me burgim dhe gjoba shtohen me ¼ e dënimit të dhënë. Neni 299 Shkelja e rregullave mbi fluturimet Shkelja e rregullave mbi fluturimet ndërkombëtare si, hyrja ose dalja nga territori i Republikës së Shqipërisë pa leje fluturimi, mosrespektimi i vijave të fluturimit, i vendeve të zbritjes, i korridoreve ajrore apo lartësisë të caktuar të fluturimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. KREU IX VEPRA PENALE KUNDËR DREJTËSISË Neni 300 Moskallëzimi i krimit Moskallëzimi në organet e ndjekjes penale, në gjykatë, në organet e rendit publik, të pushtetit ose të administratës, i një krimi që është duke u kryer apo që është kryer, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Përjashtohen nga detyrimi për kallëzim të paralindurit dhe të paslindurit, vëllezërit dhe motrat, bashkëshorti, adoptuesi dhe të adoptuarit, si edhe personat që janë të detyruar të ruajnë një sekret të njohur për shkak të detyrës apo profesionit. Neni 301 Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës Kryerja e veprimeve për të ndryshuar vendin e kryerjes së veprës penale duke prishur, ndryshuar apo fshirë gjurmët e saj ose duke lëvizur, fshehur, asgjësuar, vjedhur, falsifikuar një send apo një dokument me qëllim për të vështirësuar dhe penguar zbulimin e veprës penale dhe të autorit të saj, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Faqe|94

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents