Kodi Penal Viti 2014 Neni 311 Kanosja për të mos kallzuar Kanosja që i bëhet të dëmtuarit nga vepra penale me qëllim që të mos kallzojë, të mos ankohet apo të tërheqë kallzimin apo ankimin e bërë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Neni 312 Korruptimi ose kanosja për dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë Propozimi ose dhënia e shpërblimeve, dhuratave apo përfitimeve të tjera ose kanosja apo vepra të tjera dhune që i bëhen personit për të siguruar dëshmi, ekspertim apo përkthim të rremë ose për të refuzuar kryerjen e detyrave të tyre përpara organeve të ndjekjes penale dhe gjykatës, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Neni 313 Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale Fillimi i paligjshëm i ndjekjes penale nga prokurori kundër një personi që dihet se është i pafajshëm dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Neni 314 Përdorimi i dhunës gjatë hetimeve Përdorimi i dhunës nga personi i ngarkuar me zhvillimin e hetimeve për ta detyruar shtetasin të bëjë deklaratë, të dëshmojë ose të pohojë fajësinë e tij a të një tjetri, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet. Neni 315 Dhënia e një vendimi të padrejtë Dhënia e një vendimi gjyqësor përfundimtar që dihet që është i padrejtë dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet. Neni 316 Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit Kundërshtimi me dhunë, goditjet dhe vepra të tjera dhune që i bëhen gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit, avokatit, ekspertëve, çdo arbitri të caktuar për një çështje, për ta penguar në kryerjen e detyrës apo për shkak të saj, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet. Neni 317 Kanosja e gjyqtarit Kanosja që i bëhet gjyqtarit apo anëtarëve të trupit gjykues, prokurorit, avokatit ose çdo arbitri të caktuar për një çështje për shkak të veprimtarisë së tyre, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Faqe|181

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents