Kodi Penal Viti 2014 Neni 330 Kanosja e kandidatëve Kanosja si edhe çdo veprim tjetër i paligjshëm që i bëhet kandidatit me qëllim që të tërheqë kandidaturën ose që të pengohet për të ushtruar çdo aktivitet të lejuar me ligj gjatë fushatës elektorale, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Neni 331 Shkelja e të drejtës së zgjedhjes Mospërfshirja me dashje në listat e zgjedhësve e personave që e kanë të drejtën e zgjedhjes ose regjistrimi me dashje në to i personave që nuk e kanë këtë të drejtë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Neni 332 Shpërdorimi i autoritetit ushtarak Shpërdorimi i autoritetit ushtarak nga oficeri ose kuadri ushtarak për të influencuar në votim tek ushtarakët e tjerë që ka në varësi, me dhënie urdhërash, këshilla apo me çfarëdo lloj propagande, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. KREU XI VEPRA PENALE TË KRYERA NGA BANDA E ARMATOSUR DHE ORGANIZATA KRIMINALE Neni 333 Krijimi i bandës së armatosur dhe organizatës kriminale Krijimi i bandës së armatosur apo organizatës kriminale ose pjesëmarrja në to, me qëllim për kryerjen e krimeve, dënohet nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Neni 334 Kryerja e krimeve nga banda e armatosur dhe organizata kriminale I. Kryerja e krimeve nga banda e armatosur apo organizata kriminale do të dënohet sipas dispozitave penale përkatëse duke shtuar dënimin për krimin e kryer edhe me pesë vjet burgim të tjera, kur dispozita referuese përmban dënim me burgim dhe një lloj dënimi më i lehtë, por pa kaluar kufirin maksimal të dënimit me burgim. II. Kur dispozita përkatëse referuese përmban dënim me burgim apo me burgim të përjetshëm a me vdekje, dënohet me njëzet e pesë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm a me vdekje. III. Kur dispozita përkatëse referuese përmban vetëm dënim me burgim të përjetshëm a me vdekje, dënohet me burgim të përjetshëm a me vdekje. Neni 335 Ky kod hyn në fuqi më 1 qershor 1995. Aktet ligjore që shfuqizohen, si dhe efektet dhe mënyrat e hyrjes së tij në fuqi, do caktohen me ligj të veçantë. Faqe|184

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents