Kodi Penal Viti 2014 Anëtarë pro: Bashkim Dedja (kryetar), Petrit Plloçi, Vladimir Kristo, Admir Thanza, Xhezair Zaganjori, Sokol Berberi, Sokol Sadushi Anëtarë kundër: Altina Xhoxhaj, Vitore Tusha MENDIM I PAKICËS Jemi kundër mendimit të shumicës për arsyet e mëposhtme: Shumica ka shfuqizuar paragrafin 8, të nenit 34 të KP-së, duke arsyetuar si vijon: “Nëse gjatë caktimit të dënimit gjyqtari ka tagër të hetojë mbi fajësinë e personit dhe gjendjen e tij personale, përfshirë këtu dhe situatën e tij ekonomike, në mënyrë që të zgjedhë dënimin më të përshtatshëm për të mundësuar riedukimin e këtij individi, gjatë konvertimit të dënimit gjyqtari nuk ka asnjë diskrecion, por ai në mënyrë mekanike, thjesht përcakton kohëzgjatjen e burgimit. Pikërisht ky fakt, pra që gjyqtari nuk ka asnjë lloj mundësie që të vendosë në lidhje me përshtatshmërinë e dënimit me burgim, përbën një nga elementet kryesore të jokushtetutshmërisë së normës, e cila në kundërshtim me frymën e përgjithshme që përmbajnë nenet e sipërpërmendura, në lidhje me caktimin e dënimit, nuk i lë gjyqtarit asnjë lloj mundësie që të ketë si parametër drejtues në caktimin e dënimit, riedukimin e të dënuarit, përkundrazi aplikon një dënim me burgim, i cili as që është parashikuar nga KP-ja.” Më tej shumica arsyeton edhe se: “.... neni 34/8 i KP-së ka probleme kushtetutshmërie për shkak të ometimit legjislativ. Legjislacioni nuk ka parashikuar fuqi të plota për gjyqtarin edhe gjatë momentit të konvertimit të dënimit. Në këtë kuptim, neni 3/2 i KPP-së përbën një dispozitë me karakter të përgjithshëm, parashikimet e së cilës nuk mund të anashkalohen në asnjë rast. Gjykata vlerëson se gjyqtari, gjatë konvertimit, duhet të ketë mundësinë të hetojë në lidhje me shkaqet që kanë çuar në mosshlyerjen e gjobës dhe, çka është më e rëndësishme, duhet të ketë mundësinë të caktojë dënimin më të përshtatshëm për secilin shkelës, në përputhje me funksionin riedukues të sipërpërmendur. Gjykata vëren se gjyqtari, që bën konvertimin e gjobës, duhet të ketë mundësinë që të caktojë të gjitha llojet e dënimit të parashikuara nga legjislacioni në fuqi dhe, mbi të gjitha, të ketë mundësinë të përdorë masat alternative të dënimit me burgim.” Sipas shumicës, gjyqtari në fazën e konvertimit të dënimit privohet nga mundësia për të vlerësuar llojin dhe masën e dënimit që duhet të aplikojë, pasi i dënuari nuk ka shlyer gjobën e vendosur në gjykimin në themel, për shkak të boshllëkut legjislativ. Jemi të mendimit se një interpretim i tillë bie në kundërshtim me frymën e neneve 47, 58 dhe vijues të KP-së dhe 467 të KPP-së. Në interpretim të nenit 467/2 të KPP-së, pamundësia e marrjes së gjobës është një fakt që legjitimon prokurorin për të kërkuar konvertimin e dënimit dhe që i nënshtrohet hetimit gjyqësor. Sipas këtij rregulli procedural, prokurori, në këtë gjykim, duhet të provojë fakte që kanë të bëjnë me pamundësinë e marrjes së gjobës. Pamundësia e marrjes së gjobës është rrjedhojë e veprimeve me keqbesim të të dënuarit, apo e paaftësisë paguese të tij për shkak të insolvabilitetit, por në asnjë rast nuk ka të bëjë me mosveprimin e organit kompetent (zyrës së përmbarimit) për të vjelë gjobën, pasi kjo prezumohet. Në kuptim të këtij neni, kompetenca e gjykatës për të analizuar shkaqet e pamundësisë për marrjen e gjobës, nuk vihet në dyshim dhe nuk kufizohet vetëm në evidentimin e faktit të mosshlyerjes së gjobës tërësisht apo pjesërisht. Gjithashtu, nenet 58 dhe vijues të KP-së, në fakt, përcaktojnë se gjykata fillimisht jep një vendim, i cili mund të shkojë deri në 5 vjet burgim dhe më pas vendos që të aplikojë një nga alternativat e dënimit me burgim. Pra gjykata në fillim përcakton një masë dënimi që mund të shkojë deri në 5 vjet burgim dhe më pas aplikon vendosjen në provë të të dënuarit. Që dispozitat i referohen një dënimi konkret të dhënë nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm dhe jo masës së dënimit të parashikuar nga dispozitat e KP-së, kuptohet nga interpretimi literal i nenit 59 të KP-së, i cili përcakton se: “... gjykata kur jep një dënim deri në pesë vjet......”, pra kuptohet qartë se bëhet fjalë për një dënim specifik të dhënë nga gjykata dhe jo për përcaktimin teorik të bërë në dispozitat e KP-së. Faqe|330

Select target paragraph3

Connect to a paragraph
Connect to an entity
Disable highlights
Add to table of contents